Heliu

Helios (greqishte antike: Ἥλιος, Helios, latinisht: Helius) - i biri i titanit Hiperion dhe gruas së tij Thea, ishte hyjnia greke e Diellit dhe vetë Dielli. Në greqishten e sotme ai quhet Ilios.[1]

Helios mbi kupolën e Muzeut të Vienës (Austri).

Heliosi përshkruhet nga mitografët e lashtë grekë si një zot i ndritshëm me flokë të artë dhe kurorë me rreze diellore mbi kokë, ai ka qenë vërtet mishërim i vetë Diellit, prandaj njihet edhe si perëndia Diell. Te romakët ai quhet si Sol, dhe në perandorinë e vonë romake si Sol Invictus (Dielli i Pamposhtur). Sipas mitologjisë greke, Heliosi banon në bregun lindor të Oqeanit, në një pallat të artë nga i cili del çdo mëngjes me karrocën e tij të artë të e cila tërhiqet nga katër kuaj të flakët: Aetoni, Eousi, Flegoni dhe Pyroisi. Në tokë ai derdh rrezet të cilat japin dritë, ngrohtësi dhe jetë. Në mbrëmje, në perëndim sërish zbret në ujërat e Oqeanit. Atje e pret anija prej arit me të cilën kthehet në pallatin e vet, dhe ditën e ardhshme përsërit të njëjtin udhëtim. Heliosi sheh dhe dëgjon gjithçka dhe shpesh është përshkruar si syri i Zeusit dhe nga disa fe monoteiste edhe si syri i Zotit. Atë e kanë dashur të gjithë, vetë perënditë, njerëzit, kafshët dhe bimët. Vetëm në perandorinë nëntokësore të Hadesit nuk ka qenë mysafir i mirëseardhur. Pas shekullit të V pr.e.s Heliosi fillon të identifikohet me apo të zëvendësohet nga një perëndi tjetër dielli, nga vetë Apoloni.

Helios ka pasur disa gra, ku më të njohura janë Klimena, Klitia, Perse, Leukothea dhe Rodos (nga e cila ka marrë emrin ishulli grek Rodos). Në Rodos ai kishte stautjën më të madhe të botës antike të njohur si Kolosi i Rodosit. Ajo njihej si një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë. Prej saj është frymëzuar Statuja e Lirisë në Nju Jork, e cila paraqitet si një hyjneshë femërore diellore me rreze mbi kokë.

Krijuesi i Kolosit të Rodosit ka qenë skulptori i famshëm me emrin Kjaresi i Lindosit. Kolosi ishte punuar prej bakrit dhe hekurit, i lartë 30-35 metra dhe gjendej në hyrje të limanit të Rodosit. Kjo vepër u vendos në vitin 281 pr.e.s e.s., ndërsa në vitin 225 para e.s. u shkatërrua nga tërmeti. Kur në fillim të e.s. Rodosin e vizitoi Straboni, "babai i gjeografisë", ai i ka parë gërmadhat e tij. Më se dymijë vjet shtatorja e Heliosit në Rodos ka qenë më e larta në botë. Vetëm në vitin 1886 këtë e ka tejkaluar Monumenti i lirisë në Nju Jork.

Pasardhësit e Heliosit quhen heliadë dhe tre nga fëmijët më të njohur të tij janë Aieti, Kirke magjistarja dhe Phaitoni. Ky i fundit thuhet se dogji Afrikën me karrocën e të atit kur një ditë e mori dhe nuk diti ta ngiste. Përveç këtyre ka pasur edhe dy vajza me nimfën Niera. Ato quheshin Fateusa e Lampetia dhe në ishullin Trinakia në Siçilinë e sotme të cilat ruanin kopetë e të atit. Kjo kope përbëhej prej shtatë tufë lopësh dhe shtatë tufë qengjash, secila nga pesëdhjetë copë. Ato ishin simbol i treqind e pesëdhjetë ditë dhe treqind e pesëdhjetë net (Viti hënor te grekët ka pasur pesëdhjetë javë nga shtatë ditë). Në Apolloninë e lashtë të Ilirisë gjithashtu Heliosi kishte kopetë e tij të shenjta dhe kjo na tregohet nga Herodoti.[2]

Metopë me figurën e Heliosit, gjetur në Ilion (Trojë), Muzeu i Berlinit

Heliosi në Greqinë klasike ka pasur relativisht pak tempuj dhe faltore, por është paraqitur në shtatore, relefeve e piktura të shumta. Një ndër më të njohurat është ajo e gjetur në tempullin e hyjneshës Athene në Trojë, me pamjen më interesante të figurës se tij shoqëruar nga katër kuajt e vet. Kjo është zbuluar në gërmadhat e Trojës nga arkeologu gjerman Heinrich Schliemann në vitin 1872 dhe sot gjendet në Muzeun shtetëror të Berlinit Lindor. Një reliev i bukur romak me Heliosin gjendet në Muzeun e Luvrit në Paris (Francë). Një trupore tjetër prej bronzi e Heliosit, e shek. III-II pr. e.s.gjendet në Muzeun Metropolitan në Nju Jork. Gjithashtu, një mozaik i Heliosit në karron e Diellit (përafërsisht e vitit 200 të e.s.) ndodhet në qytetin zviceran Bosceaz. Piktura dhe trupore të shumta nga antika dhe të kohës së re gjenden në koleksione të ndryshme.

Autorët që kanë shkruar për Heliosin janë Homeri te Iliada, Hesiodi te Teogonia, Pindari, Ezopi, Eskili, Herodoti, Platoni, Apollodori, Kalimaku, Straboni, Pausanias, Diodorus Siculus, Higinus, Nonnus, Filostrati, Ovidi, Seneca etj.[3]

Referime

  1. ^ Herceku, Nikolas (2021). Adhurimi i Diellit (bot. I). lulu. fq. 223.
  2. ^ Herodoti. Historitë.
  3. ^ "Helios" (në anglisht).